HOME | Aktivitet didaktik | Aktivitet shkencore dhe kulturore | Botime | Disertacione | Arkivi | INFO italiano

takime - seminare - lajme - ngjarje

Shën Kostandin, 9/9/2005 – Paraqitja e repertorit të parë fitonimik në gjuhën arbëreshe

Të premten 9 shtator, në orën 18:00 në Shën Kostandin (PZ), në mes të Parkut nacional të Pullinit, do të prezentohet repertori i parë fitonimik arbëresh, deri më sot i përmbledhur dhe i botuar. Flasim për librin "I nomi delle piante nella comunità albanese del Pollino lucano- Ëmrat e bimëvet në bashkësinë arbëreshe të Pulinit Llukan" i përgatitur nga prof. Pasquale Scutari, pashkëpunues shkencor i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Pas një pune kërkimore kaq të gjatë dhe të zellshme, që zgjati shumë vite, ky kërkim dha si rezultat këtë botim trigjuhësh (arbërisht-italisht-latinisht), të cilit iu shtua edhe një repertor i pasur fotografish me ngjyra dhe një seri njoftimesh të rëndësishme rreth përdorimit të bimëve – në ushqyerjen, në mjekësinë ose në artizanatin – në këtë areal gjuhësor midis Kalabrisë dhe Bazilikatës. Për prezentimin e vëllimit të Pasquale Scutari-t, që është vëllimi i pesëmbëdhjetë i serisë “Albanistica” e Centro Editoriale e Librario të UNICAL-it, e drejtuar nga Francesco Altimari, do të marrin pjesë, bashkë me autorin edhe administratorë të vendit (Kryetari i Shën Kostandinit, G. Cantisani; Këshilltari provinçal S. Berardone; Presidenti i Provinçës së Potencës, S. Altobello), studiues dhe docentë të universitetevet italane dhe të huaja (F. Altimari, G. Belluscio, J. Trumper, L. Bernardo, prej Universitetit të Kalabrisë; Gj. Shkurtaj dhe Sh. Rrokaj nga Universiteti i Tiranës; M. Mandalà nga Universiteti i Palermo-s, N. Scaldaferri, nga Universiteti Shtetëror i Milano-s; A. Haxhi, nga Universiteti i Shkodrës; R. Ismajli, President i Akademisë së Shkencave të Kosovës).